Skip to content

Rrahje brutale në Drenas, policia jep detaje

Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar mbrëmjen e së enjtes në Drenas, ku një grua ka përfunduar për trajtim mjekësor pas sulmit nga bashkëshorti i saj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, ndërsa rasti është raportuar fillimisht nga QKMF në Drenas, ku viktima kishte kërkuar ndihmë mjekësore, për të vazhduar më pas trajtimin në QKUK në Prishtinë.

Siç mëson Sinjali, viktima ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje verbale, është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti, i cili e ka goditur me grushta e shkelma.

Sipas saj, i dyshuari e ka kanosur me fjalët: “Do të vras ty dhe familjen tënde”, ndërsa në një moment e ka goditur edhe me një tabllo çaji në pjesën e kokës, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Me rastin është marrë njësia për dhunë në familje, ndërsa i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.

Viktima, pas trajtimit mjekësor, është kthyer në shtëpi.

Rasti është në hetim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Published inNews