Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, ku një person ka mbetur i lënduar pas një sulmi fizik.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 në zonën e njohur si “Rruga C”, ku është raportuar një rrahje në progres.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se viktima është K. R, i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore pas sulmit të pësuar.
Sipas të njëjtave burime, si të dyshuar për këtë rast janë identifikuar L. A dhe A. A, ky i fundit pas verifikimit ka rezultuar me tre urdhër-arreste aktive.
Dyshohet se të dyshuarit kishin qenë klientë në lokalin e viktimës dhe pas një konflikti e kanë sulmuar fizikisht pronarin.
Dëshmitari në vendin e ngjarjes, i cili punonte në lokal, ka konfirmuar se dy persona e kanë sulmuar viktimën, duke përshkruar ngjarjen si të papritur dhe të dhunshme.
Të dyshuarit raportohet se kanë qenë nën ndikim të alkoolit në momentin e incidentit, ndërsa pas ndalimit dhe uljes së nivelit të alkoolit, ata kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u deklaruar.
Me vendim të prokurorit kujdestar, të dy janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në zhvillim.

