Skip to content

Në xhaminë e Zabelit në Drenas mbillet pema e paqes

Në kuadër të promovimit të Vlerave Humane (PVH), Kryqi i Kuq i Kosovës – dega në Drenas, në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA), ka përmbyllur me sukses projektin ndërkulturor “Një oborr për të gjithë”.

Ky projekt u realizua nga nxënësit e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, të cilët përmes aktiviteteve të ndryshme promovuan bashkëjetesën, tolerancën dhe respektin ndërmjet kulturave dhe besimeve të ndryshme.

Si pjesë e këtij projekti, sot është mbjellë një pemë në Xhaminë e fshatit Zabel, një simbol i jetës, paqes dhe unitetit.

Me këtë rast, organizatorët shprehën mirënjohje të veçantë për kryetarin e Bashkësisë Islame, Valon Bequku, për bashkëpunimin e sinqertë, si dhe për hoxhën Shpëtim Avdyli për pritjen e ngrohtë dhe mesazhet e fuqishme të solidaritetit dhe mirëkuptimit që përcolli para të pranishmëve.

Ky projekt dëshmon rolin e rëndësishëm të të rinjve si bartës të ndryshimeve pozitive në shoqëri. Përmes iniciativave të tilla, ata po ndërtojnë ura komunikimi dhe respekti, duke forcuar frymën e bashkëjetesës dhe tolerancës.

Falënderime të veçanta u shprehën për nxënësit pjesëmarrës për përkushtimin e tyre, si dhe për profesorët diseminatorë Ermira Demiqi dhe Ilir Demaku për angazhimin dhe udhëheqjen e palodhshme. Po ashtu, u vlerësua mbështetja e vazhdueshme nga Kryqi i Kuq në Drenas.

Mesazhi i këtij projekti mbetet i qartë: vetëm përmes respektit të ndërsjellë, solidaritetit dhe pranimit të dallimeve mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, më paqësore dhe më e bashkuar për të gjithë.

Published inNews