Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka reaguar ndaj propozimit për ndryshimin e Ligjit për Energjinë, duke e cilësuar problematik dhe të rrezikshëm kalimin e përgjegjësisë për përgatitjen e Bilancit të Energjisë te Rregullatori.
Sipas Shalës, ligji aktual i ndan qartë rolet mes institucioneve, ku operatori i sistemit të transmetimit e përgatit bilancin, ndërsa Rregullatori e vlerëson dhe e miraton, duke krijuar mekanizëm kontrolli të ndërsjellë.
Ai theksoi se me ndryshimin e propozuar, Rregullatori do të bëhej njëkohësisht hartues dhe miratues i të njëjtit dokument, gjë që sipas tij paraqet konflikt të drejtpërdrejtë rolesh dhe rrezik për mungesë transparence e llogaridhënieje.
Shala shtoi se Bilanci i Energjisë ndikon drejtpërdrejt në tarifat dhe në faturat e qytetarëve, prandaj çdo centralizim i vendimmarrjes në këtë sektor është rrugë që nuk duhet ndjekur.

