Skip to content

Katër të vrarë pas një sulmi me armë në një shkollë në Turqi – i dyti për dy ditë

Një sulm i armatosur ka ndodhur në një shkollë të mesme të ulët në Kahramanmarash të Turqisë, ku janë raportuar katër viktima dhe 20 persona të plagosur.

Guvernatori i Kahramanmarashit, Mukerrem Unluer, ka bërë të ditur se një mësues dhe tre nxënës kanë humbur jetën, ndërsa nga të plagosurit, katër janë në gjendje të rëndë dhe po i nënshtrohen operacioneve.

“Kemi 4 viktima. 1 është mësues dhe 3 janë nxënës. Nga 20 të plagosurit, 4 janë në gjendje të rëndë dhe po operohen. Punimet tona po vazhdojnë. Nuk ka sulm ndaj ndonjë shkolle tjetër. Në rrjetet sociale po qarkullojnë lajme të tilla. Sulmuesi në atë kaos qëlloi veten dhe u vra. Është nxënës i klasës së 8-të. Është nxënës i shkollës sonë. Babai i tij është ish-punonjës i policisë. Mendojmë se ai ka marrë armët e tij. Ka ardhur me 5 armë dhe 7 karikatorë. Ka hyrë në dy klasa”, ka thënë ai, shkruan portali turk Hyrriyet.

Sipas tij, motivet e sulmit ende nuk dihen.

Ndërkohë, Ministri i Arsimit Kombëtar Yusuf Tekin dhe Ministri i Brendshëm Mustafa Çiftçi janë nisur drejt zonës.

Një rast tjetër i ngjashëm është shënuar edhe të martën në juglindje të Turqisë, ku një ish-nxënës hapi zjarr në një shkollë profesionale në Siverek, në provincën Sanliurfa, duke plagosur të paktën 16 persona para se të vriste veten.

Sulmuesi 18-vjeçar, i armatosur me një pushkë gjahu, qëlloi në ambientet e shkollës dhe më pas u fsheh brenda ndërtesës, përpara se t’i jepte fund jetës me të njëjtën armë, ka bërë të ditur guvernatori Hasan Şıldak.

Published inNews