Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka reaguar pas tragjedisë së rëndë që ndodhi sot në lagjen “Mirdita”, ku humbën jetën Ilir Berisha dhe dy fëmijët e tij, vajza Naile dhe djali Kujtimi, transmeton DrenicaOnline.
Përmes një reagimi publik, Kastrati tha se lajmin e ka pranuar me pikëllim të thellë, duke e cilësuar këtë si një humbje të madhe dhe dhimbje të papërshkrueshme për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin.
“Në emër të Komunës dhe në emrin tim personal, shpreh solidaritetin dhe mbështetjen tonë në këto momente të vështira”, ka deklaruar ai.
Kryetari bëri të ditur se institucionet përkatëse janë duke u marrë me rastin dhe se pritet që shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë të zbardhen sa më shpejt.
Në fund, ai u ka shprehur ngushëllime familjes Berisha, të afërmve të tyre dhe të gjithë qytetarëve që e kanë përjetuar me dhimbje këtë fatkeqësi.

