Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka përkujtuar sonte 147 civilët e vrarë në masakrën e Izbicës, duke theksuar se kujtesa për ta duhet të ruhet me dinjitet dhe pa asnjë shtrembërim.
Ai bëri të ditur se në Skenderaj janë ndezur 147 qirinj në nderim të viktimave, të cilët, sipas tij, u masakruan mizorisht nga forcat serbe para 27 vitesh.
“147 janë jetë të pafajshme të masakruara mizorisht. Asnjë më pak”, ka thënë Lushtaku.
Në reagimin e tij, ai ka kritikuar ashpër përpjekjet që, sipas tij, bëhen për ta ndryshuar narrativën rreth krimeve të luftës në Kosovë. Lushtaku e ka cilësuar ekspozitën e Shkëlzen Gashit si fyerje për viktimat dhe familjet e tyre.
“Sot, kur kujtesa kërkon dinjitet, ‘këshilltarë’ të pushtetit qendror tentojnë ta tjetërsojnë të vërtetën. Nuk ka barazim dhe nuk ka tjetërsim”, është shprehur ai.
Sipas Lushtakut, e vërteta për Masakrën e Izbicës dhe krimet e tjera në Kosovë është e qartë dhe çdo përpjekje për ta shtrembëruar atë, sipas tij, është në kundërshtim me drejtësinë dhe me sakrificën për liri.



