Ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bujar Haradinaj, ka rrëfyer momentet më të rënda nga lufta në Dukagjin, ku mori gjithsej 18 plagë në trup.
Ai kujton se më 6 qershor 1999, gjatë një ofensive të madhe, u plagos 12 herë njëherësh, ndërsa gjendja e tij ishte aq kritike sa iu hap edhe varri.
Sipas tij, askush nuk besonte se do të mbijetonte, ndërsa atë ditë humbi edhe dy bashkëluftëtarë, vetëm pak ditë para përfundimit të luftës.
Haradinaj rrëfen se gjatë luftës kishte marrë plagë të rënda, përfshirë edhe një rast kur snajperi ia kishte përshkuar gojën, por për mrekulli kishte shpëtuar.
Pavarësisht gjithçkaje, ai thotë se plagët i mban me krenari dhe nuk pendohet për asgjë që ka bërë për lirinë e Kosovës.

