Janë identifikuar personat e dyshuar në tri raste të ndara të armëmbajtjes pa leje që janë zbuluar brenda pak orësh në Prishtinë, Skenderaj dhe Gjakovë.
Rasti i parë ka ndodhur në Prishtinë, ku si i dyshuar figuron B.Pacolli. Tek ai, gjatë një kontrolli policor në rrugën “Enver Zymberi”, janë gjetur 15 fishekë të kalibrit 9 mm.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ndërsa pas bastisjes në shtëpinë e tij nuk është gjetur armë. Me urdhër të Prokurorit, rasti është iniciuar dhe ai është liruar në procedurë të rregullt.
Në Skenderaj, si i dyshuar figuron M. Aliu, në shtëpinë e të cilit, gjatë një bastisjeje të realizuar nga policia, janë gjetur dy fishekë të kalibrave të ndryshëm. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe ndaj tij është iniciuar procedurë penale për armëmbajtje pa leje.
Ndërkohë, rasti më i rëndë është zbuluar në fshatin Duzhnje të Gjakovës, ku janë arrestuar I. Alija dhe A.Bajrami. Gjatë kontrollit, njërit prej tyre i është gjetur një armë automatike e tipit AK-47 me 30 fishekë, ndërsa tjetrit një pistoletë “Sig Sauer” me 14 fishekë.
Pas intervistimit dhe në konsultim me Prokurorin kujdestar, ndaj të gjithë të dyshuarve janë iniciuar raste për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa procedurat e mëtejshme janë duke vazhduar në përputhje me ligjin.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

