Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në fshatin Baicë të Drenasit, ku si pasojë ka humbur jetën një person.
Lajmin e ka konfirmuar për DrenicaOnline zyrtarja për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 09:40.
“Sot rreth orës 09:40, kemi pranuar informatën se në Baincë të Drenasit ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete (një kamion dhe një veturë). Si pasojë e aksidentit një person ka mbetur i vdekur. Vdekja e viktimës (mashkull) është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Ahmeti.
Sipas burimeve, viktima është një 56-vjeçar nga Drenasi.
Në këtë aksident ka mbetur i lënduar edhe një person tjetër, i cili është dërguar për trajtim mjekësor.
Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal, ndërsa shkaqet dhe rrethanat e aksidentit janë duke u hetuar./DrenicaOnline/

