Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se po vazhdojnë aksionet në fshatrat e komunës së Drenas për identifikimin e keqpërdoruesve të ujit të pijshëm.
Sipas këtij institucioni, qëllimi i aksionit është parandalimi i keqpërdorimeve, mbrojtja e burimeve ujore dhe sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.
Nga kompania apelohet që konsumatorët ta përdorin ujin në mënyrë të përgjegjshme dhe vetëm për nevoja shtëpiake. Autoritetet kanë paralajmëruar se çdo lidhje ilegale apo keqpërdorim do të ndëshkohet në përputhje me ligjin në fuqi.
Aksionet pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

