Një aksion për t’u vlerësuar ka ndodhur në fshatin Qubrel të Skenderajt, ku dy banorë të këtij lokaliteti kanë dhënë një shembull të mirë për kujdes ndaj mjedisit.
Skender Qollaku dhe Musa Qitaku kanë ndërmarrë një iniciativë vullnetare për pastrimin e hapësirave përgjatë magjistrales Mitrovicë–Pejë, duke mbledhur rreth 120 thasë me mbeturina të hedhura nga qytetarë të pandërgjegjshëm.
Ky veprim i tyre është një mesazh i fuqishëm për të gjithë, që ruajtja e ambientit është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon angazhim nga secili prej nesh.
Veprime të tilla meritojnë respekt dhe shërbejnë si frymëzim për komunitetin që të kontribuojë në mbajtjen pastër të vendit.

