Kryeministri Albin Kurti është deklaruar pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke bërë të ditur se i ka ofruar kësaj partie tri ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit për kreun e saj.
Sipas Kurtit, kjo ofertë nuk është pranuar nga Abdixhiku.
Takimi mes dy liderëve u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje politike rreth çështjes së presidentit dhe situatës institucionale në vend.
Më herët gjatë ditës, Abdixhiku deklaroi se nuk ka pasur marrëveshje për presidentin dhe se, sipas të gjitha gjasave, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar paqartësitë rreth formimit të institucioneve dhe rrjedhës së ardhshme politike në Kosovë.

