Skip to content

Avokati Berisha: Burgimi i përjetshëm për Murselin e Plavën është meritë e policisë, jo e një individi

Avokati Besnik R. Berisha ka reaguar pas vendimit për dënimin me burgim të përjetshëm në rastin e Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe dënimit me 30 vite për Kushtrim Kukallën, duke theksuar se meritat për këtë rast nuk duhet të personalizohen.

Sipas Berishës, vendimi është mirëpritur me të drejtë si një moment i rëndësishëm për drejtësinë, por mënyra se si po shpërndahet merita lë për të dëshiruar.

Ai ka theksuar se ky nuk është vendim i një individi, por i një trupi gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, ku vendimmarrja është rezultat i një procesi të rregullt këshillimi dhe votimi.

Berisha ka vënë theks të veçantë te roli i policisë, duke thënë se themelet e këtij vendimi janë vendosur nga puna hetimore dhe kontributi vendimtar i zyrtarëve policorë, të cilët në kohë rekord kanë zbardhur një skemë kriminale të menduar me dinakëri.

“Pa këtë punë, asnjë proces tjetër nuk do të kishte kuptim”, ka theksuar ai, duke shtuar se edhe prokuroria ka ndërtuar një bazë të fortë provash që ka orientuar qartë zhvillimin e rastit.

Sipas tij, drejtësia nuk është individuale, por proces, dhe si e tillë kërkon që meritat të ndahen aty ku u takojnë.

Në fund, Berisha ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në zbardhjen dhe trajtimin e rastit, duke filluar nga familja e të ndjerës, institucionet përkatëse dhe veçanërisht zyrtarët policorë.

Ai ka rikujtuar gjithashtu se të akuzuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.

Published inNews