Sot është mbajtur mbledhja e Komisionit për shqyrtimin e listës së veçantë të pronave për dhënie në shfrytëzim afatshkurtër dhe afatgjatë të pronës komunale në Komunën e Drenasit.
Komisioni ka trajtuar pronat një nga një dhe me shumicë votash, 7 për dhe 1 kundër, ka vendosur që lista e veçantë e pronave të procedohet tutje për hapat e ardhshëm institucionalë.
Po ashtu, është shqyrtuar edhe kërkesa e një korporate të madhe, ku Komisioni ka rekomanduar që rasti të trajtohet më tej nga Drejtoria e Urbanizmit, Drejtoria e Gjeodezisë dhe Kadastrës, me qëllim përgatitjen e dokumentacionit për negocim.
Në këtë mbledhje u theksua se çdo pronë që do të jepet në shfrytëzim afatshkurtër apo afatgjatë do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe me kushte sa më të favorshme në interes të qytetarëve dhe Komunës së Drenasit.
Njoftimin e ka bërë Kryetari i Komisionit dhe njëherësh Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Burim Bujupi.




