Dr. Fadil Beka, mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit të tij, invalidit të UÇK-së, Sejdi Topilla.
Beka ka thënë se lajmin e mori me dhimbje të madhe, duke e kujtuar Topillën si një prej burrave të parë që iu përgjigjën kushtrimit për liri, pa kursyer asgjë nga vetja.
Sipas tij, Sejdi Topilla kishte shërbyer në sektorin e shëndetësisë së UÇK-së, duke punuar në ambulancën ushtarake në Gradicë dhe kudo që kishte nevojë për përkujdesjen e të sëmurëve dhe të plagosurve të shumtë në Zonën Operative të Drenicës.
Dr. Beka ka theksuar se kishte pasur nderin të punonte me të gjatë luftës dhe pas saj, duke e përshkruar si njeri tek i cili mund të mbështeteshe në momentet më të vështira.
Ai po ashtu ka përmendur se Topilla vinte nga një familje patriotike dhe dëshmorësh, duke ruajtur e kultivuar me krenari rrugën e sakrificës, lirisë dhe pavarësisë së shtetit.
Në fund, Dr. Fadil Beka i ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes së gjerë Topilla dhe të gjithë bashkëluftëtarëve.
“U prehtë në paqe!”, ka shkruar ai.


