Valon Haliti: Sqarim për opinionin publik lidhur me mbylljen e aktivitetit të operatorit “Hoti” në Polac
Valon Haliti, Drejtor i Inspekcionit në Komunën e Skenderajt, ka reaguar publikisht lidhur me mbylljen e përkohshme të aktivitetit ekonomik të operatorit “Hoti” në fshatin Polac, duke theksuar se vendimi është marrë ekskluzivisht nga ai dhe se nuk ka asnjë prapavijë politike.
Haliti ka bërë të ditur se gjatë gjithë karrierës së tij profesionale nuk ka lejuar ndikime politike në vendimmarrje, duke shtuar se puna e tij është bazuar gjithmonë në ligjet në fuqi dhe në kompetencat që i takojnë Drejtorisë Komunale të Inspekcionit.
Sipas tij, për këtë rast janë konsumuar të gjitha afatet ligjore dhe operatorit i janë dhënë vazhdimisht mundësi nga inspektorët komunalë për të përmbushur obligimet minimale.
“I është kërkuar vetëm që t’i largojë mjetet e vjetruara ose të vendosë rrethojë. Kjo problematikë zgjat tash e dy vite me këtë operator”, ka deklaruar Haliti.
Ai ka kërkuar ndjesë ndaj bujqve që kanë nevojë për shërbime, ndërsa ka shprehur respekt për afaristin Megzon Hoti, të cilin e ka cilësuar si humanist, por ka theksuar se askush nuk mund të përjashtohet nga pasojat e veprimeve që bien ndesh me ligjet e aplikueshme në Kosovë.

