Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar një takim në Drenas së bashku me Vlora Nushi, drejtoreshë e UN Women në Kosovë, si dhe Kadire Tahiraj, drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas.
Gjatë takimit, Jahjaga ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke vlerësuar angazhimin institucional dhe publik që kontribuon në thyerjen e stigmës dhe fuqizimin e zërit të tyre.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar mbështetjen e ofruar për Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt ofrimit të ndihmës me dinjitet dhe respekt për të mbijetuarat.
Në takim është diskutuar edhe për rëndësinë e fuqizimit ekonomik të kësaj kategorie, përfshirë një nismë të UN Women për vendosjen e një kioske në sheshin e qytetit, e cila do të shërbejë për shitjen e produkteve të tyre dhe si një mundësi konkrete për pavarësi ekonomike.
Jahjaga ka theksuar se rikthimi në Drenas është gjithmonë i veçantë, duke përmendur përkushtimin lokal ndaj kësaj kauze të rëndësishme dhe gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen.


