Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka reaguar pas kthimit të eshtrave të Sinan Dautit në vendlindje, pas 27 vitesh pritje dhe dhimbjeje për familjen.
Nura tha se Sinani u kthye në tokën e tij jo vetëm për të pushuar në paqe, por edhe si dëshmi e një të vërtete që nuk u shua kurrë.
“Sot, pas 27 vitesh pritje dhe dhimbjeje, ai u kthye në tokën e tij, jo vetëm për të pushuar në paqe, por si dëshmi e një të vërtete që nuk u shua kurrë. Sinani nuk është më vetëm një kujtim. Ai është një zë që na thërret të mos harrojmë. Një plagë që na obligon të kërkojmë drejtësi. Një dëshmi që nuk mund të mohohet”, ka shkruar Nura.
Ai shtoi se dhimbja e familjes Dauti është dhimbje e secilit qytetar, ndërsa përfundoi me fjalët: “U prehsh në paqe, Sinan. E vërteta jote do të jetojë përgjithmonë.”




