Atdhetari Hektor Beqiri ka ndarë emocione të forta nga vizita e tij e radhës në Hagë, aty ku po mbahen ish-krerët e UÇK-së. Ai ka treguar se, pavarësisht trishtimit që i shkakton ai objekt, çdo hyrje brenda tij shndërrohet në krenari dhe qetësi, sepse aty takon shokët e jetës.
Në postimin e tij prekës, Beqiri ka bërë të ditur se këtë herë pati kënaqësinë ta takojë Rexhep Selimin, për të cilin u shpreh me shpresë se shumë shpejt do ta shohin bashkë me shokët e tij duke dalë triumfues nga kjo betejë e gjatë.
“Nuk është e lehtë ta shohësh një njeri që i dha aq shumë këtij vendi, larg familjes dhe atdheut… por në të njëjtën kohë është frymëzuese ta shohësh sa i fortë dhe i palëkundur mbetet”, ka shkruar ai.
Sipas Beqirit, bisedat me Rexhep Selimin janë gjithmonë lehtësuese, pasi ai shkon i mërzitur, por del i lumtur dhe më i fortë shpirtërisht.
Ai ka theksuar se procesi gjyqësor në Hagë po i afrohet fundit dhe se ekziston një besim i madh që drejtësia do të vihet në vend, duke sjellë lirimin dhe kthimin në atdhe të çlirimtarëve.
Në fund, Hektor Beqiri përcolli edhe një mesazh simbolik për Kosovën:
“Kosovë, ke shumë të fala nga djemtë e tu çlirimtarë dhe shtetndërtues!”

