Skip to content

I godet dy këmbësorë në Fushë Kosovë, njëri në gjendje të rëndë – shoferi ndalohet për 48 orë

Një aksident i rëndë trafiku është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Fushë Kosovë, ku një veturë ka goditur dy këmbësorë, duke u shkaktuar lëndime të rënda.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:35 në rrugën “Nora Kelmendi”, ku një veturë e tipit Opel Astra, me ngjyrë të kuqe, e drejtuar nga Qendrim Zeneli, rreth 28-vjeçar, ka goditur dy këmbësorë.

Siç mëson Sinjali, të lënduarit janë S.Sh., rreth 73-vjeçar dhe Z.H., rreth 61-vjeçar, të cilëve u është ofruar ndihma e parë në vendin e ngjarjes dhe më pas janë dërguar me autoambulancë në QKUK në Prishtinë.

Fillimisht gjendja e tyre nuk është vlerësuar si e rëndë, mirëpo pas pranimit në emergjencë, gjendja e njërit prej tyre është përkeqësuar dhe ai është ndaluar për trajtim të mëtejshëm në Klinikën Maksillofaciale.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, shoferi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.

Rasti është në hetim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Published inNews