Skip to content

I iknin drejtësisë, përfundojnë në burg – arrestohen dy persona në Drenas dhe Fushë Kosovë

Zbatimi i urdhërarresteve të lëshuara nga gjykatat vazhdon të jetë pjesë e angazhimeve të përditshme të Policisë së Kosovës, që shpeshherë rezulton me arrestimin e personave që tentojnë t’i shmangen drejtësisë, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu, dy persona që po i shmangeshin vuajtjes së dënimit kanë përfunduar në burg pas zbatimit të urdhër-arresteve nga Policia.

Siç mëson Sinjali, rasti i parë është realizuar në Drenas, ku rreth orës 15:30 njësia policore ka hasur në një të mitur, (emër i njohur për Sinjalin) i cili pas verifikimit ka rezultuar me urdhër-arrest aktiv të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – dega në Drenas.

I njëjti është shoqëruar nga Policia dhe është dërguar në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, ku do të vuajë masën me burgim në kohëzgjatje prej një viti.

Ndërkohë, një tjetër rast është regjistruar në Fushë Kosovë, ku rreth orës 15:00 është arrestuar Naim Telaku, i cili gjithashtu rezultonte me urdhër-arrest aktiv.

Sipas të dhënave, ai kërkohej nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale “Kanosje”, ndërsa pas arrestimit është dërguar në burgun e Gjilanit për vuajtje të dënimit prej 30 ditësh.

Të dy personat dyshohet se i ishin shmangur drejtësisë deri në momentin e arrestimit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Published inNews