Skip to content

I vjedhin veturën punëtorit të “delivery pizza”, arrestohen dy të dyshuarit

Një rast i vjedhjes së veturës është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Fushë Kosovë, ku një punëtor i shpërndarjes së ushqimit ka mbetur pa automjetin e tij gjatë kryerjes së detyrës.

Ngjarja ka ndodhur më 04.04.2026, rreth orës 01:20, në rrugën “Nënë Tereza”, afër stacionit hekurudhor, ku sipas informacioneve, vetura e tipit Toyota, në pronësi të kompanisë “delivery pizza”, është vjedhur nga dy persona të dyshuar derisa punëtori ishte duke dorëzuar një porosi, raporton Sinjali.

Pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe, përmes sistemit GPS, kanë arritur të lokalizojnë veturën në fshatin Hajvali, në afërsi të pompës “Ex fis”.

Gjatë operacionit, policia ka identifikuar dhe arrestuar edhe dy të dyshuarit, L.Azemi dhe B.Haziri, të cilët janë gjetur në një kafiteri në Hajvali.

Me asistim të njësive reaguese, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa vetura e vjedhur është rikthyer.

Me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit si “Vjedhje”.

Rasti është në procedurë të rregullt.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Published inNews