Skip to content

Ilir Seferi: Nuk mjaftojnë aksionet e pastrimit, Kosovës i duhen zgjidhje reale – një fabrikë në Drenas ka punësuar dhjetëra qytetarë

Afaristi drenicas që vepron në Gjermani, Ilir Seferi, ka reaguar lidhur me aksionet e pastrimit dhe menaxhimin e mbeturinave në vend, duke theksuar se problemit të ndotjes i duhet zgjidhje afatgjate dhe jo vetëm iniciativa simbolike.

Seferi ka vlerësuar se mbledhja e mbeturinave është një fushatë e mirë, por ka ngritur pyetjen se çfarë ndodh me to pas përfundimit të aksioneve.

“Mbledhja e mbeturinave është një fushatë e mirë. Por bëhet një herë në vit. Po nesër? A e dimë ku përfundojnë ato mbeturina që i mbledhim? A riciklohen realisht? A digjen duke ndotur ajrin? A mbulohen me dhé, duke helmuar ujin që e pimë?”, ka shkruar ai.

Sipas tij, që nga paslufta në Kosovë është ndjekur e njëjta logjikë: aksione pa proces dhe pa zgjidhje të qëndrueshme.

Ai ka sjellë si shembull pozitiv një ndërmarrje në Drenas, në pronësi të mikut të tij Arjan, e cila pas një zjarri është rindërtuar nga e para dhe sot punëson rreth 70 persona.

Në këtë kompani, sipas Seferit, mbeturinat plastike grumbullohen, përpunohen dhe kthehen në granulat që përdoren për folie ndërtimi.

“Kjo është zgjidhje. Kjo është ekonomi. Kjo është përgjegjësi. Nuk mjaftojnë vetëm aksione simbolike. I duhen fabrika, sistem dhe mendim deri në fund”, ka përfunduar ai.

Published inNews