Afaristi Isak Neziri, ish-kandidat për deputet nga radhët e PDK-së, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit që lidhen me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Në reagimin e tij, Neziri ka thënë se disa persona po tregojnë frikë nga rikthimi i Thaçit, duke i cilësuar deklaratat e tyre si çnjerëzore.
“Duket se disave iu ka hyrë frika në palcë nga rikthimi i pakontestueshëm i presidentit tonë, deri në atë pikë sa po lëshohen në deklarata çnjerëzore. Edhe më e rëndë është kur fjalë të tilla vijnë nga shqiptarë që sot e gëzojnë lirinë falë sakrificës së heronjve tanë”, ka deklaruar ai.
Neziri ka shtuar se historia, liria dhe sakrifica e UÇK-së nuk mund të zhbëhen nga askush, ndërsa ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme të deklaratës.
“Historinë tonë, lirinë dhe sakrificën e UÇK-së nuk kanë arritur t’i zhbëjnë armiqtë tanë, e nuk do të mundeni as ju. Turpi ju mbuloftë. Kërkojmë tërheqje të menjëhershme nga ajo deklaratë. E ty, president, të presim në shtëpi!”, ka përfunduar Neziri.

