Skip to content

Ish-basketbollisti i njohur nga Drenasi, bëhet President i FC Feronikeli 74

Klubi Futbollistik FC Feronikeli 74 ka njoftuar opinionin publik për një zhvillim të rëndësishëm në strukturat drejtuese të klubit. Në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të mbajtur sot, është zgjedhur kryesia e re, e cila pritet të udhëheqë klubin në një fazë të re organizimi dhe zhvillimi.

Në këtë kuvend, me vota unanime të të gjithë anëtarëve, ish-basketbollisti i njohur nga Drenasi, Alban Veseli, është emëruar President i klubit. Po ashtu, Lapidar Lladrovci është zgjedhur Drejtor Sportiv, ndërsa Argjend Bardhi do të mbajë pozitën e Menaxherit të klubit.

Pas zgjedhjes, Presidenti i ri, Alban Veseli, ka falënderuar anëtarët e kuvendit dhe bordin drejtues për besimin e dhënë, duke theksuar përkushtimin e tij për të çuar përpara klubin drejt sukseseve të reja.

“Jam i privilegjuar të menaxhoj një klub siç është FC Feronikeli 74. Po ashtu, jam i nderuar që në klub gjeta bashkëpunëtorë me energji të jashtëzakonshme për angazhim dhe punë. Së bashku do të punojmë fuqishëm që FC Feronikeli 74 në vitet e ardhshme të jetë ndër klubet më të organizuara dhe kështu ta bëjmë krenar qytetin e Drenasit, e pse jo edhe gjithë Kosovën,” u shpreh Veseli.

Ai shtoi se një ndër prioritetet kryesore të drejtimit të tij do të jetë zhvillimi i akademisë së klubit dhe krijimi i kushteve sa më të mira për talentët e rinj.

Nga ana tjetër, klubi FC Feronikeli 74 i ka uruar suksese Presidentit Veseli në këtë detyrë të rëndësishme, duke shprehur besimin se nën udhëheqjen e tij, klubi do të arrijë rezultate pozitive dhe stabilitet afatgjatë.

#FCFeronikeli74 #Drenas #Superliga

Published inNews