Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar kampin e Kombëtares së Kosovës në prag të finales së ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026, duke i përgëzuar futbollistët për arritjen historike dhe duke u dhënë mbështetje para përballjes me Turqinë.
Fillimisht, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, falënderoi kryeministrin Kurti, ministrin e Sportit Blerim Gashiani dhe zëvendësministren Daulina Osmani për përkrahjen e vazhdueshme ndaj ekipit kombëtar.
Në fjalën e tij para futbollistëve dhe stafit, Kurti përgëzoi Dardanët për fitoren në Bratisllavë, duke theksuar se rrugëtimi deri në finale është plotësisht i merituar.
Ai nënvizoi se ndeshja po ndiqet nga miliona shikues në mbarë botën dhe se përmes Kombëtares, Kosova ka një mundësi të artë për t’u prezantuar në arenën ndërkombëtare.
“Përmes jush si ekip e kemi mundësinë ta vendosim Kosovën dhe historinë e saj të qëndresës e talentit në sytë e mbarë njerëzimit. Pas jush është jo vetëm një shtet, por një komb i tërë. Kjo mbështetje është forca juaj dhe duhet ta merrni me vete në fushë,” tha Kurti.
Ai shtoi se besimi për fitore është ndërtuar nga vetë ekipi, së bashku me trajnerin dhe stafin, duke i inkurajuar që ta finalizojnë këtë rrugëtim me sukses.
Finalja ndaj Turqisë konsiderohet si një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar.

