Skip to content

Ky është i arrestuari për krime lufte, dyshohet për torturimin barbar të civilëve shqiptarë në ’99

Një rast i rëndë i krimeve të luftës është zbuluar pas hetimeve disa mujore, ku është arrestuar një person i dyshuar për përfshirje në torturimin e civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

I arrestuari është Aco Dejanovic, i cili dyshohet se më 09 mars 1999, në fshatin Ivajë dhe zonat përreth në komunën e Kaçanikut, në cilësinë e pjesëtarit të forcave policore serbe, ka marrë pjesë në operacione kundër popullatës civile shqiptare.

Ngjarja lidhet me një operacion ku rreth 400 civilë shqiptarë janë ndaluar, ndërsa 13 anëtarë të familjes Luta janë veçuar dhe dërguar në stacionin policor në Kaçanik. Aty, sipas burimeve të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, ata janë rrahur brutalisht dhe janë torturuar në mënyrë çnjerëzore, duke përjetuar dhunë fizike dhe psikike.

Pas hetimeve të zhvilluara nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës, janë siguruar prova të mjaftueshme që kanë çuar në dorëzimin e kallëzimit penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Me urdhër të Gjykatës, më 04.04.2026 është realizuar kontrolli në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri, municion, uniforma policore me mbishkrime në cirilik “Milicija”, pajisje komunikimi, antiplumba dhe mjete të tjera që lidhen me strukturat policore të kohës.

Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Prishtinë, ku pritet të intervistohet në prani të avokatit mbrojtës.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Published inNews