Në varrezat e dëshmorëve në fshatin Gllanasellë janë bërë homazhe në nderim të dëshmorit Jahir Lladrovci, në 27-vjetorin e rënies së tij.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale, drejtorë të drejtorive, bashkëpunëtorë, familjarë dhe qytetarë.
Me vendosjen e buqetave me lule pranë memorialit, u shpreh respekti dhe mirënjohja për jetën dhe veprën e mësuesit dhe atdhetarit Jahir Lladrovci, i cili mbetet simbol i përkushtimit për liri dhe dije.
Në fjalët e rastit u theksua se Jahir Lladrovci ishte figurë e shquar e rezistencës, mësues i dijes dhe i lirisë, ndërsa sakrifica e tij mbetet themel i lirisë që gëzohet sot.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të rënë për lirinë e vendit.


