Në kuadër të zbatimit të Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale 2024–2034 dhe Programit të Kosovës për Barazi Gjinore, me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit të shoqërisë përmes avokimit për qasjen në drejtësi të të mbijetuareve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është mbajtur takim me zyrtarë dhe përfaqësues organizatash në komunën e Drenasit.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues institucional, përfaqësues nga Agjencia për Barazi Gjinore, përfaqësues të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG), si dhe zyrtarë komunal.
Gjatë takimit u vlerësua përkushtimi institucional në mbështetje të kësaj kategorie, me theks të veçantë në mbështetjen e vazhdueshme të Kryetarit të Komunës, z. Ramiz Lladrovci për QPDG-në, si ngritja e këndit të kurajos në komunë dhe promovimi punës së grave të kësaj qendre kudo në vizitat zyrtare jashtë Kosovës.
Drejtoresha për Administratë, znj. Laureta Thaqi, në emër të Kryetarit, rikonfirmoi mbështetjen e parezervë për të siguruar trajtim dinjitoz, mbështetje të vazhdueshme dhe realizim të plotë të të drejtave për të gjitha viktimat.
Ndërsa, znj. Leonora Selmani nga ZBGJ theksoi rëndësinë e vetëdijesimit dhe qasjes në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale, si dhe rëndësinë e konfidencialitetit në trajtimin e rasteve. Në takim u prezantua puna e deritanishme të Komisionit, si dhe prezantimi i planit të punës për periudhën 2026–2027. Gjatë takimit, pjesëmarrësit u informuan mbi proceset e verifikimit, sfidat e hasura dhe rëndësinë e mbështetjes institucionale për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt koordinimit më të mirë të aktiviteteve dhe përkushtimit të vazhdueshëm për fuqizimin dhe mbështetjen e kësaj kategorie.



