Skip to content

Nga Drenica në Itali: Dy miq që ngritën biznes në zonën më të famshme të Venecias

Dy të rinj nga Drenica kanë arritur të realizojnë një histori frymëzuese suksesi në një prej vendeve më të njohura në botë – në San Marco të Venecias. Bëhet fjalë për Sokol Osmanin nga Prekazi i Epërm (Skenderaj) dhe Durim Kukiqin nga Tersteniku (Drenas), të cilët sot drejtojnë biznesin e tyre në sektorin e gastronomisë.

Rrugëtimi i tyre nisi vite më parë, kur emigruan në Itali në kërkim të një jete më të mirë. Si të mitur, ata u sistemuan në një strehimore të mbështetur nga autoritetet italiane dhe Kisha, ku gjetën përkujdesje dhe mbështetje për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

Me përkushtim, disiplinë dhe respekt për rregullat, fituan besimin e stafit dhe më pas, me arritjen e moshës madhore, siguruan leje qëndrimi dhe të drejtë pune. Fillimisht punuan në restorante të ndryshme, ku fituan përvojë të vlefshme në gastronomi.

Si të rinj ambiciozë, ata u integruan shpejt në shoqërinë italiane, mësuan gjuhë të huaja dhe krijuan komunikim të shkëlqyer me turistë nga e gjithë bota.

Ëndrra e tyre ishte të kishin një ditë restorantin e vet – dhe sot kjo ëndërr është bërë realitet. Në zemër të Venecias, në zonën turistike të San Marco, restoranti i tyre mirëpret vizitorë të shumtë që shijojnë gatimet e tyre të veçanta dhe cilësore.

Ky sukses është dëshmi se me punë, përkushtim dhe vullnet, çdo ëndërr mund të bëhet realitet.

Sokolit dhe Durimit u urojmë shumë suksese dhe mbarësi në rrugëtimin e tyre!

Published inNews