Mes dhimbjes dhe pikëllimit të madh, sot janë përcjellë për në banesën e fundit tre anëtarët e familjes Berisha nga Gurbardhi, të cilët humbën jetën tragjikisht si pasojë e zjarrit që përfshiu banesën e tyre në qendrën e banimit kolektiv në Malishevë.
Nga kjo tragjedi e rëndë humbën jetën babai Ilir Berisha, si dhe dy fëmijët e tij, Kujtim dhe Naile Berisha, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe gjithë qytetarët e Malishevës.
Në ceremoninë mortore morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale, stafi i shkollës “Ibrahim Mazreku”, ku Kujtimi dhe Nailja ishin nxënës, si dhe një numër i madh qytetarësh nga Malisheva dhe më gjerë, të cilët u bashkuan për të ndarë dhimbjen me familjen Berisha dhe për t’u dhënë lamtumirën e fundit.
Komuna e Malishevës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Berisha, duke ndarë dhimbjen për këtë humbje tragjike.
Kjo ngjarje e rëndë ka prekur thellë qytetarët e Malishevës, duke lënë pas pikëllim të madh dhe solidaritet me familjen dhe të afërmit e viktimave.




