Skip to content

Përparim Rama del në terren, kërkohet hetim urgjent për rrëshqitjen në “Malush Kosova”, të pezullohen inspektorët e përfshirë

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka reaguar pas rrëshqitjes së dheut në rrugën “Malush Kosova”, duke bërë të ditur se institucionet përkatëse ndodhen në terren dhe po e monitorojnë nga afër situatën.

Rama theksoi se ekipet e Kryeqytetit, në bashkëpunim me Policinë, janë angazhuar për menaxhimin e gjendjes, ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.

Ai ka ofruar bashkëpunim të plotë institucional dhe qasje në çdo informacion të nevojshëm për hetimet, duke nënvizuar rëndësinë e transparencës dhe përgjegjësisë në këtë situatë.

Ndërkohë, nga Drejtoria e Inspeksionit është kërkuar pezullimi i menjëhershëm nga detyra i inspektorëve të përfshirë, si dhe ndalimi i çdo angazhimi të tyre në këtë rast deri në përfundimin e hetimeve. Po ashtu, është urdhëruar nisja e një hetimi të brendshëm për të verifikuar raportet e inspektimit, frekuencën e kontrolleve në terren dhe për të identifikuar çdo lëshim apo neglizhencë të mundshme.

Sipas Ramës, nëse konstatohen shkelje, do të ndërmerren masa të menjëhershme, duke përfshirë largimin nga puna dhe ndjekjen penale.

Autoritetet lokale janë në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kryeqytetit, e cila ka vendosur prioritet menaxhimin e situatës dhe ruajtjen e rendit publik në zonën e prekur.

Në fund, kryetari Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen në këtë zonë deri në stabilizimin e plotë të situatës

Published inNews