Skip to content

Petrit Hajdari: Dëshmorët janë amanet, të mos harrojmë kurrë çmimin e lirisë

Kryetari i PDK-së në Drenas, Petrit Hajdari, ka përkujtuar dëshmorët Xhevat Demaku, Bedri Demaku dhe Imer Shala, duke theksuar se liria e Kosovës është fituar me sakrificë të madhe.

Hajdari u shpreh se ata ishin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nuk u zmbrapsën asnjëherë, duke zgjedhur rrugën e lirisë deri në frymën e fundit.

“Liria jonë nuk erdhi rastësisht, ajo u fitua me gjak, me dhimbje dhe me trimëri që nuk u thyen kurrë. Ata zgjodhën rrugën më të vështirë, por edhe më të drejtën, rrugën e lirisë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, dëshmorët luftuan me guxim dhe besim të palëkundur për një të ardhme të lirë, pa kërkuar asgjë për vete.

“Sot, emrat e tyre nuk janë vetëm kujtim, janë amanet. Janë thirrje që të mos harrojmë kurrë çmimin e lirisë dhe të qëndrojmë gjithmonë në lartësinë e sakrificës së tyre”, theksoi Hajdari.

Në fund, ai ka përmbyllur me mesazhin: “Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!”.

Published inNews