Një rast i dhunës në familje është raportuar mëngjesin e 7 prillit në Pejë, ku janë përfshirë ish-dhëndri dhe vjehrri.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30 në rrugën “Konstantin i Madh”, ku viktima M.S. (54 vjeçare) ka paraqitur rastin në Polici.
Sipas deklarimit të tij, derisa ishte duke qëndruar në veturën e tij (taksi), i dyshuari D.G. (31-vjeçare), ish-dhëndri i tij, i është afruar me vrull dhe i ka kërkuar të hapë xhamin, duke e pyetur për vajzën e tij me fjalët: “Pse nuk e hap vajza ime telefonin?”, e më pas, sipas viktimës, e ka ofenduar me fjalë fyese.
Viktima ka deklaruar se nuk ka pasur nevojë për trajtim mjekësor.
Nga ana tjetër, gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka dhënë një version tjetër të ngjarjes. Ai ka deklaruar se kishte shkuar për të blerë bukë dhe, pasi vajza e tij nuk i ishte përgjigjur në telefon, kishte shkuar te viktima për ta pyetur për të.
Sipas tij, viktima ishte ai që e kishte kërcënuar me fjalët: “Të gjuaj në Bistricë, nuk dua të hyj në burg për ty…”, ndërsa ka mohuar se ka përdorur fjalë fyese ndaj tij.
I dyshuari ka dorëzuar edhe një mesazh (SMS) me përmbajtje fyese, për të cilin pretendon se i ishte dërguar nënës së tij nga viktima, rast që nuk ishte raportuar më herët.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për verifikimin e kamerave të sigurisë, por është konstatuar se zona nuk është e mbuluar me kamera.
Lidhur me rastin janë njoftuar edhe Qendra për Punë Sociale dhe Mbrojtësi i Viktimave.
Pas marrjes së deklaratave, me udhëzim të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

