Në fshatin Doganaj të Ferizajt, sot rreth orës 7:50, tre persona janë përleshur fizikisht.
Sipas Policisë, të përfshirë janë: M.H. (47 vjeç), V.H. (43 vjeç) dhe A.H. (71 vjeç).
“Sipas hetimeve fillestare, incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje verbale lidhur me punime në afërsi të një prone. Si pasojë e përleshjes, të përfshirët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor në QKMF-Ferizaj”, thuhet në komunikatën për media.
Policia thotë se ka siguruar informacione se njëri nga të dyshuarit posedonte armë zjarri pa leje. Më pas, personi me inicialet A.H. ka dorëzuar një pistoletë dhe 15 fishekë, të cilat janë sekuestruar.
“Me autorizim të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti për veprat penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Rasti është në procedurë të rregullt hetimore”, thotë Policia.

