Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka përkujtuar sot të rënët e fshatit Kuqicë, duke theksuar se 6 Prilli rikthen kujtimin e dhjetëra bijve që dhanë gjithçka për lirinë e vendit.
Lushtaku ka deklaruar se sakrifica e tyre mbetet themel i lirisë që gëzohet sot dhe amanet që nuk zbehet kurrë.
“Sot, me nderim të thellë, zbuluam pllakën e shtabit të fshatit, një dëshmi e organizimit dhe qëndresës së pathyeshme në ditët më të vështira”, ka thënë ai.
Tutje, ai bëri të ditur se bashkë me shoqatat e dala nga lufta janë ndarë mirënjohje për disa prej veteranëve të Kuqicës, të cilët, sipas tij, me guxim e sakrificë mbajtën gjallë frymën e rezistencës dhe luftës së UÇK-së.
Në fund, Lushtaku shprehu nderimin e tij për të rënët dhe luftëtarët e lirisë.
“Lavdi e përjetshme të rënëve dhe respekt i pafund për çdo luftëtar që kontribuoi në këtë rrugë të shenjtë”, ka përfunduar Lushtaku.

