Një konflikt për punime infrastrukturore ka eskaluar në kanosje dhe vetëgjyqësi në Gjilan, ku një person ka përfunduar në pranga pas ndërhyrjes së Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 8 prill 2026, rreth orës 08:30, në afërsi të pompës së derivateve “ADA-GAS” në rrugën “Manastir”, ku është raportuar një përplasje mes palëve.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për K Syla, i cili dyshohet se ka kanosur verbalisht J.Halitin, duke pretenduar se nuk duhet të vazhdojnë punimet në rrjetin e kanalizimit, pavarësisht se ankuesi posedonte leje të rregullt për kryerjen e tyre.
Situata ka eskaluar në vendngjarje, duke detyruar ndërhyrjen e Policisë, e cila ka shoqëruar palët në stacion për intervistim.
Gjatë trajtimit të rastit është kuptuar se i njëjti person kishte pasur edhe një ditë më parë konflikt të ngjashëm për të njëjtën çështje, për çka ndaj tij ishte iniciuar rast për vetëgjyqësi.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj tij është iniciuar procedurë për dy vepra penale: “Kanosje” dhe “Vetëgjyqësi”, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti mbetet nën hetim, ndërsa Sinjali do të raportojë për zhvillimet e mëtejme.

