Tri raste të vjedhjeve dhe tentativave për vjedhje janë raportuar në komunën e Kamenicës, bëhet e ditur nga Policia e Kosovës.
Sipas raportit policor, në fshatin Shipashnicë e Poshtme, një person i dyshuar ka hyrë në objektin e xhamisë dhe me forcë ka thyer kasafortën, prej nga ka vjedhur rreth 300 euro para të gatshme (monedha metali). Rasti është zbuluar përmes kamerave të sigurisë.
Ndërkaq, në dy raste të tjera bëhet fjalë për tentativë vjedhjeje.
Në fshatin Topanicë, persona të panjohur kanë dëmtuar kasafortën e xhamisë, por nuk kanë arritur të marrin asgjë.
Po ashtu, në fshatin Rogoqicë, një person është kapur nga kamerat duke tentuar të thyejë kasafortën me mjete të forta, por pa sukses, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Për të tria rastet është njoftuar prokurori dhe hetimet janë në zhvillim.

