Skip to content

U vra gjatë luftës në Prekaz, pas 27 vitesh gjenden mbetjet mortore të Sinanit

Pas më shumë se dy dekadash pritje dhe dhimbjeje, janë gjetur mbetjet mortore të Sinan Fadil Dautit, i cili ishte vrarë gjatë luftës në Kosovë më 12 prill të vitit 1999 në Prekaz, në lagjen Bregaj.

Sipas njoftimit të familjarëve, i ndjeri ishte plagosur rëndë gjatë asaj dite dhe ishte dërguar për trajtim në spitalin e Mitrovicës, ku më pas kishte ndërruar jetë.

Për 27 vite me radhë, trupi i tij nuk ishte kthyer tek familja, duke lënë pas një plagë të hapur dhe pritje të gjatë për zbardhjen e fatit të tij.

Pas kërkimeve shumëvjeçare, mbetjet mortore të tij janë identifikuar në varrezat e Suhadollit në Mitrovicë, duke i dhënë fund një pritjeje të dhimbshme për familjen.

Ceremonia e varrimit do të mbahet më 18 prill 2026, në ora 13:30, në Prekaz të Epërm, në varrezat e lagjes Bregaj.

Ky rast rikthen në vëmendje plagët e hapura të luftës dhe nevojën për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, ndërsa familjet vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe paqe për më të dashurit e tyre. /SkenderajLive

Published inNews