Skip to content

Xhamia e Zabelit të Ulët do të mbajë emrin “Mulla Jakup Hajrizi”!

Xhamia në fshatin Zabel i Ulët në Drenas, nga dita e shtunë, 18 prill 2026 do të mbajë emrin “Mulla Jakup Hajrizi”, që njëherit ishte imami i parë i kësaj xhamie.

Emërtimi i ri u bë me vendim të Këshillit të Bashkësisë Islame.

Në ceremoninë e emërtimit të mbushur me emocione dhe krenari për imamin Hajrizi, të pranishëm ishin anëtarë të Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas, në krye me kryetarin, Valon Bequku – imam i xhamisë, kryeimami i KBI-së në Drenas, Shpetim Avdyli, familjarë të Mulla Jakup Hajrizit, profesorë, kolegë dhe xhematlinjë të cilët Mulla Jakupi i donte e i nderonte shumë, por edhe ata e donin dhe e çmonin.

Jakup Hajrizi ndonëse nuk jetoi gjatë me vite, puna dhe kontributi i tij në jetën fetare e shoqërore u vlerësua i jashtëzakonshëm. Hajrizi u vlerësua me atribute të larta njerëzore, i dashur dhe i afërt me të gjithë.

Në këtë ceremoni nga kolegët e tij, u tha se Hajrizi për aq kohë sa veproi, me punën e tij u bë hoxha me kontributin më të madh në rajonin e Drenicës dhe me gjerë.

Veçanërisht, puna dhe angazhimi i tij me nxënës e studentë që Hajrizi kishte, mbi 250 të gjeneratave të ndryshme, u tha se edhe sot vazhdojnë të japin fryte.

Zbulimi i pllakës me emrin “Mulla Jakup Hajrizi”, në mënyrë simbolike u bë nga familjarët, kryetari i KBI-së në Drenas dhe kolegë të tjerë prezent.

Published inNews