Një rast shqetësues i zhdukjes së një gruaje është raportuar në Prizren, ku familjarët nuk kanë asnjë informacion për fatin e saj prej disa ditësh.
Siç mëson Sinjali, rasti është raportuar më 6 prill 2026 rreth orës 16:30 në nënstacionin policor në Zhur, nga bashkëshorti i gruas së zhdukur.
Sipas ankuesit, ajo kishte dalë nga shtëpia rreth orës 07:00 për të shkuar në vendin e punës në një hotel në fshatin Vërmicë, ku punonte si pastruese.
Nga aty, rreth orës 12:00, ajo është larguar me një veturë të panjohur, pa u identifikuar targat apo modeli i saj, dhe që nga ai moment nuk është kthyer më në shtëpi.
Siç mëson Sinjali, edhe kamerat e sigurisë nuk kanë arritur të identifikojnë mjetin me të cilin është larguar.
Familjarët e saj janë kontaktuar, por as ata nuk kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e saj.
Policia ka nisur hetimet për rastin e personit të zhdukur dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për lokalizimin e saj.

