Gjykata Supreme e Kosovës ka nxjerrë një aktgjykim me rëndësi të veçantë në fushën e të drejtave sociale, duke aprovuar kërkesëpadinë kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe duke shpallur të paligjshëm paragrafin 5 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015.
Dispozita e shfuqizuar kishte vendosur kufizim kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore në pensionet kontribut-paguese, duke kërkuar që dëshmitë për arsimim të ishin fituar para datës 01.01.1991. Sipas Gjykatës Supreme, një kriter i tillë nuk kishte bazë ligjore dhe përbënte tejkalim të kompetencave të organit administrativ.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se e drejta në pension lidhet me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve të parapara me ligj, e jo me datën e fitimit të diplomës apo kualifikimit profesional. Po ashtu, u vlerësua se kufizimi kishte karakter diskriminues dhe cenonte parimin e barazisë para ligjit.
Rasti është konsideruar si një precedent i rëndësishëm për pensionistët në Kosovë, pasi mund të ndikojë në trajtimin e shumë rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Paditësi në këtë proces është përfaqësuar nga avokati Gani Avdiu, i cili arriti të sigurojë një vendim të rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave të pensionistëve dhe forcimit të rendit juridik në vend.

